Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion” ka kritikuar urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kanë ndaluar publikimin në media të përgjimeve të dosjes “339/1”, të botuar nga gazeta gjermane “Bild” për përgjimet e bandës së Avdylajve në Shijak.

Fevziu foli për urdhrin e dy prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, të cilët ndalojnë mediat për publikimin e këtyre përgjimeve. Këtë urdhër, Blendi Fevziu e konsideroi kriminale pasi cënohet liria e medias.

Dhe si shembull për të treguar se media e ka fituar këtë betejë në Shqipëri 25 vjet më parë tregoi rastin e dy gazetarëve të asaj kohe, Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka.

Më 31 janar të vitit 1993, të arrestuar, pas padisë së Ministrisë së Mbrojtjes, me një fletë arresti të firmosur nga prokurori Arben Qeleshi, ishin dy gazetarët Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka.

Akuza që rëndonte mbi ta ishte ajo e nxjerrjes së sekretit shtetëror në bashkëpunim me ushtarakët Liçaj dhe Feta, ndërkohë që për Lekën ekzistonte edhe akuza për shpifje të bërë publikisht ndaj ministrit Zhulali.

Në procesin e Gjykatës së Tiranës që zgjati katër ditë, Lekës nuk iu vërtetua dot akuza për shpifje dhe bashkëpunimi që parashikohej të ishte kryer nga katër të pandehurit, rezultoi të ishte e tillë vetëm për Lekën dhe Liçajn. Frangaj, në atë kohë kryeredaktori i të pavarurës “Koha Jonë”, u lirua në sallë si i pafajshëm.

Më 27 janar të vitit 1994, gazeta “Koha jonë” do të hapej me titullin “Të gjithëve do t’ju fusim në burg” (Kërcënim nga prokuroria e asaj kohe), ndërsa si përgjigje epike për këtë kërcënim përgjegjësinë do ta merrte, Teodor Keko: “po iu përgjigjem me edukatë: të gjithëve do të na e hani m…” / Opinion.al