Ndërsa politika ‘i nxin’ faqen në arenën ndërkombëtare vendit tonë të vogël, janë qytetarët shqiptarë, ekselentë në shkollë dhe punë, që me përpjekjen e tyre i zbardhin fytyrën dhe flamurin “Kuq e Zi” e përfaqësojnë më së miri në arenën ndërkombëtare.

Shqipëria ka arritur të fitojë një tjetër çmim, këtë herë në konferencën ndërkombëtare të zhvilluar më 16-17 maj 2019, në Universitetin e Shkencave Politike në Rumani, në qytetin Cluj, në Qendrën për Strategjitë e Ballkanit (Center for Balkan Strategies) dhe me moton “Rindërtimi i urave të besimit në Ballkan”. Doktorantja Ilma Bici, ka arritur të marrë vendin e dytë me punimin me temë: “International protection of emigrants. A prospective of human rights. Case of Albania and the region” (Mbrojtja ndërkombëtare e emigrantëve. Një prespektivë e të drejtave të njeriut. Rasti i Shqipërisë dhe rajoni), ndërsa përfaqësuese nga niveli Master Shkencor ishte studentja Anxhela Buzi. Dy të rejat shqiptare, i treguan botës se Shqipëria nuk është vetëm ajo e kronikave të zeza, por edhe kjo që ngre ura bashkëpunimi e forcon marrëdhëniet.

Konferenca ndërkombëtare në Cluj të Rumanisë, u zhvillua nën mbështetjen e qeverisë dhe rektoratit rumun sëbashku me fondacionin Balcan Forum and Balcan Strategies, të cilët një ndër fushat që ata mbështesin është promovimi i arsimit të lartë universitar dhe pasuniversitar nëpër botë. Në këtë konferencë studentë të nivelit PHD dhe Master, konkurruan mes njëri-tjetrit, ndërsa Shqipëria arriti të marrë vendin e dytë. Vajzat shqiptare që përfaqësuan më së miri Shqipërinë në këtë konferencë, prezantuan punimet e tyre, të cilat u vlerësuan shumë nga një komision ndërkombëtar.

Shqipëria arriti që të lërë pas shtete si Anglia, Bosnja, Moldavia, Kina, Austria, Bullgaria, Italia, Holanda apo India e largët etj.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria bëhet krenare me anë të të rinjve shqiptarë, që i tregojnë botës se vendi i shqiponjave, nuk është ai që prezanton Liam Neeson apo mediet me kronikën e zezë. /dosja.al