Dom Gjergj Meta nuk ka fjalë për të përshkruar sulmin terrorist që përgjaku Pashkët në Sri Lanka. I ftuar në RTV Ora,  prifti katolik thotë se kjo është një vepër e djallit.

Dom Gjergj Meta: Nganjëherë janë ngjarje që të vjen të thuash no coment dhe t'ja lësh çdo njeriu që e kupton me mendje që kjo është një punë e djallit. Nuk di si ti jap emër tjetër. Çdo gjë që prek jetën njerëzore, çdo gjë që prek njeriun në pafajshmërinë e tij duke u lutur në kishë, duke pushuar në një hotel, dy vende ku njeriu pushon trupin, pushon shpirtin.

Por edhe vrasja në Zelandën e Re e personave që po luteshin në xhami. Jemi në një klimë nganjëherë të trishtë ndërkombëtare dhe duhet të lutemi shumë për paqen. Është gjëja më e brishtë që kemi. Ndonjëherë falenderoj Zotin për Shqipërinë, mënyrën si jetojmë, respektin që kemi për njëri-tjetrin pavarësisht bindjeve fetare, politike, shtresës ekonomiko-sociale. 

Sri Lanka është dëm i madh por pavarësisht se e keqja bën dëm shumë, e keqja nuk e ka fjalën e fundit në jetën e njeriut dhe jetën e botës.Fjalën e fundit e ka e mira dhe e ka Zoti, e mira, e bukura dhe dashuria do të triumfojnë patjetër.

Të paktën 200 persona u vranë në tetë shpërthime sot pranë kryeqytetit të vendit, Kolombo.

Sipas autoriteteve, 27 të vdekur ishin shtetas të huaj. Po ashtu qindra vetë janë plagosur nga shpërthimet në tre kisha dhe tre hotele, pjesa më e madhe e tyre po mjekohen në spitale.

Shpërthimet ndodhën ndërkohë që besimtarët katolikë po kremtonin Pashkët.