Drejtori i spitalit rajonal të Durrësit, Alban Ramohitaj ka dhënë dorëheqjen.

Nuk dihet ende arsyeja që e shtyu Ramohitajn të japë dorëheqjen vetëm pak muaj pasi u shpall fitues i konkursit të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Përveç postit të drejtorit të spitalit, Ramohitaj është gjithashtu edhe kreu i Këshillit Bashkiak të Durrësit.

Në ditët në vijim pritet të mësohet emri i drejtorit të ri që do t’i zërë vendin Ramohitajt, nëse do të vendoset ndonjë nga pjesëmarrësit e tjerë në konkurs, apo do të caktohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Në fund të javës, Ramohitaj u shfaq në krah të ministres Manastirliu gjatë vizitës së kësaj të fundit në spitalin rajonal të Durrësit.

Vlen të përmendet fakti se spitali i Durrësit po përballet me vështirësi të shumta përsa i përket furnizimit me barna, të cilat thuajse mungojnë tërësisht, duke i detyruar pacientët dhe familjarët e tyre t'u drejtohen farmacive edhe për medikamentin më të thjeshtë.