Dosja 339/ Mjerim në familjet e komisionerëve të arrestuar, familjarët: Të prangosen ata që kanë përfituar nga zgjedhjet (VIDEO)

01/08/2020 - 18:42

Familje që luftojnë për mbijetesë dhe zemërim që djemtë e tyre kanë përfunduar pas hekurave. Kjo është ajo çfarë konstaton në bisedat me familjarët e dy prej komisionerëve të arrestuar pak ditë më parë, në kuadër të hetimeve për dosjen e famshme 339. Udhëtimi deri në banesat e Dalvis Bibës dhe Redi Hysit është i gjatë dhe i mundimshëm.  

7 prej 21 komisionerëve të dosjes 339, për të cilët preu fletëarreste prokuroria speciale SPAK, janë nga fshati Shetel, i bashkisë Shijak. Sheteli është një prej fshatrave më të thellë të zonës dhe rruga deri atje është mjaft e dëmtuar.

Banorët e kësaj zone merren vetëm me bujqësi e kryesisht me mbjelljen dhe shitjen e duhanit, kulturë me të cilën mbijetojnë. Arrestimi i 7 burrave të fshatit ka ngjallur jo pak zemërim te banorët e kësaj zone. Ata thonë se nuk është aspak e drejtë të arrestohen njerëz të pafajshëm, që as nuk kanë vrarë e as nuk kanë cënuar njeri.

Ndalojmë në shtëpinë e Dalvis Bibës, 26-vjeçarit, kominioner i PD, i arrestuar katër ditë më parë. Babai i tij thotë se policia ka mbërritur në orën 04.00 në derë të shtëpisë, duke bërë kontroll të imtësishëm banese. Më pas, ata morën me vete djalin e vetëm të shtëpisë.

“Na thanë do e marrim në pyetje, nuk e dinim për çfarë e morën. Pse nuk e kishin pyetur më parë çfarë ndodhi e djali do t’ju jepte shpjegim”, thotë Demir Biba, babai i Dalvisit.

58-vjeçari tregon se djali ishte student në kohën kur e morën komisioner.

“Ishte i patrajnuar, ishte i paditur. Për ditën e zgjedhjeve më mori mua 20 mijë lekë të vjetra e më ktheu 2 mijë. Me ato lekë u ushqye atje në komisionin e votimit. Mbaroi shkollën dhe e vetmja mundësi ishte të qëndronte këtu në fshat. Këtu qëndroi, ka mbjellë duhan, është marrë me punë bujqësie. Ne me punë bujqësie merremi se s’kemi asnjë të ardhur”, thotë i ati.

Nëna e tij, Suzana, nuk i mban lotët. Ajo thotë se djali i saj është i sëmurë, ka kaluar në depresion të thellë.

“Sa nisi pandemia u kyç brenda në shtëpi. Kam frikë se nuk i japin as mjekim. Do më bëhet prapë rëndë siç ishte kur nisi mjekimin”, thotë Suzana.

Vetëm pak çaste pasi ka mbaruar intervistën, gruaja mbetet pa frymë. U desh ndërhyrja me mjete rrethanore për ta sjellë përsëri në jetë. Suzana Biba tha se kishte disa ditë pa ngrënë ushqim, që prej ditës që i arrestuan djalin.

“Djali nuk ishte kriminel, e njeh e gjithë zona, që është djalë i mirë e punëtor”, shprehet ajo. Për minuta e minuta të tëra gruaja mbeti në gjendje të fikti, ndërsa më pas e dërguan në spital për mjekim.

Redi Hysi është një prej komisionerëve të tjerë të arrestuar. 30-vjeçari është prind i dy fëmijëve të mitur. Për të shkuar në banesën e familjes së tij ka shumë vështirësi. Makina duhet të përshkojë mbi 60 minuta rrugë nga fshati Shetel i poshtëm, ndërsa fshati duket i izoluar në mes të malit.

Shtëpia e tij është një çadër e vendosur në mes të oborrit, pasi shtëpinë jua ka prishur tërmeti i 26 nëntorit. Në mes të oborrit qëndron në një shtrat edhe nëna e tij 60-vjeçare e paralizuar, Zyraja, e cila nuk mund të qëndrojë brenda çadrës, për shkak të temperaturave shumë të larta. Gruaja tregon se në 05.00 u erdhi policia, ndërsa Redi po bëhej gati të shkonte në Tiranë të shiste ca duhan për të blerë ushqime.

Fshati nuk ka as ujë për të pirë. Gjendja në familjen Hysi është përtej dëshpërimit. Dy djemve të mitur nuk munden as t’ju plotësojnë kushtet minimale.

Babai i komisionerit të zgjedhjeve të 2017 thotë se arrestimi i të birit ka rrënuar familjen.

“Djali nuk e ka bërë shkollën e mesme. I thashë mos shko në komision, më tha më kanë caktuar or babë. Ne nuk kemi përfituar kurrë asgjë. Askush nuk na ka dhënë asgjë. Shikojeni mjerimin tonë. Vetëm çadrën për të fjetur natën na kanë dhënë”, thotë i ati.

Prindërit kanë një apel, ata i bëjnë thirrje shtetit të arrestojë ata që janë përfitues të zgjedhjeve e të mos merren me komisionerët hallexhinj.

Nga 22 komisionerë të marrë në hetim nga SPAK, për 11 është kërkuar arrest me burg, për 8 arrest shtëpie dhe për të tjerët detyrim paraqitje.

Urdhër arresti është dhënë edhe për një qytetar, që votoi në emër të 23 personave të tjerë. SPAK kishte lëshuar urdhër arrest edhe për dy komisionerë, pasi kishin ndërruar jetë prej rreth dy vjetësh në fshatin Rubjekë të Maminasit.

Në 3 qendra votimi u votua për 62 persona që ndodheshin jashtë vendit, ka rezultuar sipas hetimeve të SPAK.

“Pjesë e këtij aksioni janë- Komisionerët zgjedhorë të Qëndrës së Votimit nr.1508 0, adresa e QV “Shetel”, shtetasit Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emilian Tuda, Redi Hysa, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë.

Komisionerët zgjedhorë të Qëndrës së Votimit nr.1335 adresa e QV, “Rubjek shkolla 9-vjeçare”, shtetasit Bashkim Allushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala, Qemal Domi, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë.

Komisionerët zgjedhorë të Qëndrës së Votimit nr.1336 adresa e QV, “Rubjek shkolla 9-vjeçare”, shtetasit Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë”, thuhej në dosjen e SPAK.

K.H.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Deri më tani nga lëkundjet e forta janë regjistruar 26 viktima dhe mbi 800 të plagosur, për shkak të shembjes apo dëmtimit të ndërtesave.

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat lidhur me situatën e Covid-19 në vendin tonë.

Aktivistët e qendrës “Durrësi Aktiv” kanë protestuar mesditën e sotme në sheshin “Pranvera” në Durrës ku prej disa javësh zona i është në

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka reaguar pas akuzave të bëra nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha se është fasadë e Edi Ramës dhe

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për situatën e rëndë të krijuar në vend

31-vjeçari Fetur Zani është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqëruar nga drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, mbrëmjen e

Vëllai i ish-presidentit Bujar Nishani, Ilir Nishani, makina e të cilit shpërtheu në flakë mëngjesin e sotëm në një ndër rrugët më të fre