Jo të gjithë tekstet shkollore kanë mbërritur në pikat e shpërndarjes. Drejtoresha e Arsimit në Durrës, Lindita Muka, tha se po ushtrohet presion ndaj shtëpive botuese pasi ka një numër jo të pakët tekstesh të cilat nuk janë shpërndarë për fëmijët e Durrësit.

Matematika, gjeografia, historia apo edhe tekstet e gjuhëve të huaja kanë mangësi në kompletet shkollore. Për herë të parë, këtë vit fëmijët e arsimit të detyrueshëm i marrin tekstet falas, ndërsa nga klasa e pestë e deri në gjimnaz prindërit janë duke bërë sakrifica të mëdha për të blerë tekstet shkollorë.

Për drejtorinë arsimore, përveç nxënësve të ciklit të ulët, tekstet falas i përfitojnë edhe disa kategori të tjera. Por nxjerrja nga skema e ndihmës ekonomike e më shumë se 2 mijë familjeve në Durrës, ka bërë që të mos përfitojnë falas edhe shumë familje të varfra.

K.H.