Dy raste të tjera të prekura me Covid-19 janë konstatuar mëngjesin e sotëm në laboratorin e analizave pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës.

Pas rastit të parë të regjistruar ditën e enjte të javës së kaluar dhe një tjetër rasti të dalë ditën e diel, mëngjesin e së martës punonjësit e këtij institucioni kanë mësuar se të tjerë persona nga stafi kanë dalë pozitiv me koronavirus duke e çuar në total numrin e të prekurve në 4. Mëngjesin e sotëm punonjësit e laboratorit janë njoftuar me SMS që të mos paraqiten në punë.

Pasi një laborante doli pozitive me Covid-19, shumë punonjës të laboratorit kërkuan të bënin tamponin, por ditën e parë vetëm 4 prej tyre u testuan. Ndërkohë, laboratori vijoi punën normalisht javën e kaluar pavarësisht faktit se anëtarët e stafit kishin pasur kontakte me laboranten.

Mëngjesin e së enjtes, ambientet e laboratorit u dezinfektuan, por, sipas stafit, mbyllja e laboratorit do të ishte masa më e mirë për të frenuar përhapjen e virusit. Megjithëse në laborator dy punonjës dolën pozitivë, ai ishte i hapur gjatë ditës së hënë. Nuk dihet ende nëse 4 punonjësit do të jenë të vetmit të prekur në këtë institucion, pasi “DurrësLajm” mëson se gjatë të hënës janë marrë dy herë tamponët, ndërsa deri më tani kanë ardhur përgjigjet vetëm për tamponët e bërë në mëngjes.

Laboratori i analizave është institucioni i radhës në Durrës, ku punonjësit janë prekur nga Covid-19. Më parë qenë prekur institucioni i ASH-së dhe bashkisë, të cilët për rreth 2 javë ndërprenë shërbimin për qytetarët dhe punonjësit u vetëkarantinuan.

Kujtojmë se laboratori i analizave është në të njëjtën godinë me administratën e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor dhe autoritetet i tremben faktit se mund të kthehet në vatër të përhapjes së koronavirusit.

Rrezikon që laboratori mikrobiologjik ku janë regjistruar punonjësit e prekur nga Covid-19 të futet në kolaps, sepse nëse të gjithë anëtarët e stafit vetëkarantinohen nuk dihet kush do ta bëjë testimin e tamponëve.