Në kalatat e portit të Durrësit sot po përpunohen 6 anije tregtare, me afro 16 mijë ton mallra të ndryshme. Ndërkaq kanë mbërritur sipas grafikut tre tragete me udhëtarë dhe automjete.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se katër anije që po shkarkojnë grurë, ure’ dhe mallra të veçantë janë në proces përpunimi në kalatat 2, 4 dhe 5 të Terminalit Perëndimor.

Në Terminalin lindor që nga mëngjesi i djeshëm vijon ngarkimi i anijes “Seaven Luck”, me 7 mijë ton çimento për eksport, ndërsa në kalatën 6 po shkarkohen nga anija “Grand” 326 kontejnerë.

Rreth orës 13.30 në Terminalin e udhëtarëve u ankorua trageti “Michela” i linjës Ankona-Durrës, ndërsa më parë ishin ankoruar edhe tragetet “AF Marina” dhe “Rigel II” që mbërritën nga Bari.