Zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda ka qenë e pranishme sot në një mbledhje në Prefekturë, ku është zhvilluar Analiza vjetore e vitit 2018 për luftën kundër kanabisit.

“Në takim u pasqyrua puna e bërë gjatë vitit 2018, duke e krahasuar me atë të vitit 2017, si në zbatimin e planit të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit për vitin 2018, në realizimin e objektivave, në sensibilizimin, parandalimin, gjetjet dhe goditjet”,- njofton zv/ministrja Voda në Facebook-un e saj, ku publikon edhe foto nga takimi.

Por përveç faktit që media nuk ka qenë e pranishme në takim, pasi asnjë njoftim nuk është bërë nga zyra e Prefekturës, nuk jepen as në mënyrë të përmbledhur nga ana e Ministrisë së Brendshme apo zyra e Prefektit Durrës, detaje nga ky takim, rezultatet e arritura përgjatë vitit 2018 si dhe problematikat e konstatuara.

Arsyet se pse një mbledhje e tillë duhet të zhvillohet në heshtje të plotë mediatike duhet t’i shpjegojnë autoritetet përkatëse.