Pas agjërimit të muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë në Durrës janë mbledhur mëngjesin e sotëm në xhaminë e madhe të qytetit për faljen e Bajramit.

Besimtarët nuk e kryen dot faljen në shesh, sikur ishte kthyer në traditë, por në xhami nën protokollet shëndetësore të sigurisë për shkak të pandemisë Covid-19.

Imami i xhamisë së madhe të Durrës, Ervin në fjalën e  tij për besimtarët uroi vetëm për begati e mirësi dhe i ftoi besimtarët të luteshin që pandemia Covid-19, e cila i kufizoi së tepërmi gjatë muajit të Ramazanit për të kryer ritet fetare në xhami, të largohej.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë apel që vizitat familjare të shmangen për shkak të situatës që po kalon mbarë bota prej koronavirusit.

Fiter Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fiter Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë. Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fiter Bajramit, gëzim për myslimanët, ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

*Foto: Gëzim Domi