Që në ditët e para të pandemisë Covid-19, Posta Shqiptare, me të gjithë personelin e saj ka qenë në krye të detyrës për të realizuar me efikasitet të plotë shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmës ekonomike në shtëpitë e qytetarëve të karantinuar.

Gjatë dy muajve të parë të pandemisë, rreth 40 mijë pensionistë kanë marrë pensionet në shtëpi, ndërsa postierët kanë përballuar një volum të shtuar pune disa fish më të lartë, krahasuar me muaj më parë. Një nga postierët më të vjetër në Durrës tregon se puna niste që në orën 07.30 për të përfunduar pasdite apo në mbrëmje, pasi çdo ditë u duhej të dorëzonin rreth 30 pensione, pagesën e ndihmës ekonomike apo dërgesat postare.

“Është një shërbim shumë i vështirë, sepse jemi gjithë kohës në terren. Gjatë këtyre muajve të pandemisë kemi punuar edhe me frikë, pasi kemi shkuar në të gjitha institucionet, në rrobaqepësi, në paraburgim, në lagje të ndryshme të qytetit, ku kishte të prekur nga koronavirusi. Kemi mbajtur largësinë me qytetarët gjatë kohës kur kryenim detyrën. Jemi munduar ta bëjmë punën tonë me rregull, me përkushtim. Ne jemi shërbëtorë të klientit në punën tonë”,- thotë postier Arbeni.

Vështirësitë që kanë kaluar punonjësit e postës, postierë apo sportelistë, i pranon edhe drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Floreta Çopa. Gjatë gjithë kësaj kohe, Posta ka siguruar masat mbrojtëse për punonjësit e saj dhe fakt pozitiv është që asnjë prej tyre nuk është prekur nga koronavirusi. Madje, edhe qytetarëve, në rastet kur paraqiten pranë postës qëndrore pa maskë, ju ofrohet një e tillë falas, nga personeli i institucionit.

“Kemi marrë të gjitha masat për të pajisur punonjësit tanë me maska, doreza, dezinfektantë. Njëkohësisht i kemi këshilluar sesi të vepronin kur duhet të dorëzonin pensionet apo paketë ilaçesh tek familjet, që ishin prekur nga Covid-19”,- thotë drejtoresha Çopa.

 Për drejtoreshën Çopa, vështirësia më e madhe për t’u përballuar gjatë kësaj periudhe ka qenë ndarja e ndihmës ekonomike, shërbim që më parë ofrohej nga bankat e nivelit të dytë. Kalimi i pagesës së ndihmës ekonomike dhe asaj të invaliditetit në sportelet e 4 zyrave postare gjatë periudhës së pandemisë krijoi radhë të shumta qytetarësh, para filialit qendror të postës. 

“Ishin një numër i konsiderueshëm, rreth 8000 pagesa që ne u munduam t’i menaxhonim në 4 zyra postare. Ne nuk mund t’i përshtasnim në një kohë shumë të shkurtër, prandaj u detyruam të bënim pagesa manuale. Kjo u shoqërua me radhë në sportelet tona dhe vështirësi edhe për ne për ta menaxhuar situatën”,- thotë Çopa.

Filiali i Postës Shqiptare në Durrës është në negociata me bashkinë për të marrë përsipër ndarjen e pagesës së ndihmës ekonomike, invaliditetit etj në 50 sportelet e zyrave postare me kosto zero për qytetarët ose dërgimin e saj në shtëpi.

“Jemi në bisedime me bashkinë që këto pagesa të bashkisë për kategoritë në nevojë të ofrohen në sportelet e Postës Shqiptare Durrës me kosto zero për qytetarët. Në momentin që do të arrijmë marrëveshjen me bashkinë, këto pagesa do të kalojnë në sistemin tonë dhe klienti mund të paraqitet në njërën nga 10 zyrat postare, në 50 sportele që janë në dispozicion për të tërhequr pagesën dhe për të shpëtuar njëherë e mirë nga radhët”,– deklaron drejtoresha e komanduar e filialit të Postës Shqiptare në Durrës.

M.B.