18 Maji, Dita Ndërkombëtare e Muzeve solli në Muzeun Arkeologjik të Durrësit studentë e pedagogë të UAMD, si dhe personazhe që i kanë shërbyer këtij Muzeu ndër vite, si Nelo Lukaçi, Afrim Hoti, bashkëshortja e Nikolet Vasisë, zonja Shpresa Beqiri, bijat e Gavril Priftulit, Yllka dhe Meri, si dhe qytetarë e vizitorë të huaj e vendas.

Një koleksion objektesh arkeologjike të gjetura rastësisht dhe të dorëzuara nga të rinj e qytetarë u ekspozuan në këtë ditë, nën sloganin: “Pasuro Muzeun, ruaj traditën” si një shembull sjelljeje qytetare dhe si model i një tradite, tashmë të humbur, të cilën po punojmë së bashku për ta risjellë e promovuar tek të rinjtë.

Një takim dhe diskutim mjaft interesant e shoqëroi prezantimin e kësaj ekspozite, e cila do të pasohet nga një sërë aktivitetesh të përbashkëta me UAMD dhe veçanërisht me Departamentin e Turizmit, në funksion të një përfshirjeje të rinisë dhe komunitetit në problemet e trashëgimisë dhe të Muzeut Arkeologjik.

K.H.