Familja Terziu në zonën e plazhit në Durrës ka kaluar momente tmerri, ndërsa një grabitës i maskuar dhe i armatosur u pikas brenda shtëpisë së tyre mbrëmjen e shkuar. Si pasojë e përleshjes midis grabitësit dhe një prej djemve të shtëpisë mbeti i plagosur në këmbë 42-vjecari Rexhep Terziu.

DurrësLajm ka qënë sot në banesën e familjes Terziu me origjinë nga Dibra, ndërsa banonin prej disa vitesh në zonën e plazhit. Grabitësi, i identifikuar nga policia si Astrit Thaçi, është parë në dhomën e gjumit rreth orës 20.00 nga nusja e shtëpisë Kimetja, e cila shkoi në dhomën e gjumit për të parë vajzën që flinte nëse kishte nevojë për gjë. Kimetja tregon se paniku ka qenë i madh, ndërsa edhe një ditë më pas frika është e pranishme në këtë familje. E reja tregon se si e gjeti hajdutin brenda shtëpisë e si më pas mbeti i plagosur xhaxhai, i cili e ndoqi për ta kapur në rrugicën e lagjes, por mbeti i plagosur me dy plumba në këmbë.

Gjyshja e shtëpisë tregon se djali i saj e ndoqi për ta kapur në flagrancë autorin, të cilit i dukeshin vetëm sytë poshtë maskës së zezë që kishte vënë në kokë, ndërsa në brez mbante një armë zjarri.

“Djalit i tha mos u afro e shtiu dy herë në drejtim të tij nga këmbët, por kunati i preu rrugën dhe atë e plagosi me dy plumba në këmbë. Shtiu plot katër herë dhe synimi ishte të merrte paratë, nuk donte të vriste njeri. Ne si familje jemi nën terror” – tha e moshuara.

Ngjarja

Më datë 10.02.2020, rreth orës 20:30, në lagjen Nr.13 Plazh, një person ende i paidentifikuar, ka hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit R.T.

Shërbimet e Policisë Durrës, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

U ngrit një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, si dhe u ngritën pika kontrolli të shumta dhe u zhvilluan kontrolle në banesa e objekte të ndryshme.

Falë veprimeve të shpejta nga grupi hetimor u bë e mundur që brenda pak orëve të zbardhej ngjarja dhe të identifikohej autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Th., 27 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës dhe vijon puna për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

K.H.