Vazhdon monitorimi dhe disiplinimi çdo ditë i tregut agrobujqësor dhe dyqaneve ushqimore rreth tregut. Masa të rrepta aplikohen ndaj tregtarëve që të respektojnë rregullat si: mbajtja e maskave dhe dorezave, moslejimi që të grumbullohen njerëz nëpër rrugëkalime, duke respektuar distancën deri në 2 m ndërmjet shitësit dhe blerësit. Po ashtu, ndalohen të qarkullojnë biçikletat brenda në treg.

Për tregtarët që nuk respektojnë rregullat merren masa administrative deri dhe moslejimin për të shitur.

Burime nga Policia Bashkiake thanë për DurrësLajm se janë mbyllur dhe 3 dyqane të tregtimit me pakicë të produkteve industriale, të cilët tregtonin në kundërshtim me aktet normative të qeverisë; si dhe ndaj tyre u morën masa administrative.

Ashtu si një javë më parë edhe nesër, pas orës 13:00 deri të hënën në mëngjes në orën 05:00, ndalohen të gjitha lëvizjet në qytet.

Kreu i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa, përcjell falënderimet nga ana e tij, për qytetarët e përgjegjshëm që respektojnë masat me korrektësi, duke lehtësuar kështu punën e shërbimeve policore.

“Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata qytetarë të pergjegjshëm, të cilët po respektojnë radhën, si dhe distancat ndërmjet njëri-tjetrit në  tregje, markete apo njësi të tjera shërbimi të lejuara, duke lehtësuar punën e shërbimeve të Policisë Bashkiake, Policisë së Shtetit dhe njëkohësisht, duke mbajtur një mjedis më të sigurt për të gjithë. 
#KufizoniLëvizjetETepërta
#QëndroniNëShtëpi
#MeDurimEBesimDoJaDalim”!

S.L.