Gjatë orëve të vona të natës, kur të gjithë qytetarët janë të ngujuar në shtëpitë e tyre nga izolimi për shkak të koronavirusit, ndërsa efektivët e rendit monitorojnë rrugët për të ndëshkuar kalimtarët apo drejtuesit e mjeteve që thyejnë karantinën, bandat e hajdutëve kanë nisur të bëjnë namin.

Çdo ditë, ndërsa dalin në mëngjes për të bërë blerjet e ditës apo për të shkuar në punë, qytetarët dëgjojnë ankesat e bizneseve që lejohen të qëndrojnë hapur. Në shumë prej tyre, në lagjet nr.1,2 dhe 3 të qytetit kanë “trokitur” hajdutët. Në disa raste, vjedhja ka mbetur në tentativë, në disa të tjera grupi i hajdutëve është larguar me mallin e dëshiruar.

Ngjarja më e fundit është natën e mbrëmshme në lagjen nr.3, kur një market u tentua të vidhej, por hajdutët nuk e arritën objektivin e tyre. Vetë pronarët e këtyre bizneseve deklarojnë se gjatë ditëve të fundit kanë dëgjuar për tentativa apo vjedhje në rreth 20 njësi shërbimi në lagjet e sipërpërmendura, të cilat ndodhen në zemër të qytetit.

Pronarët e bizneseve dyshojnë se bëhet fjalë për të njëjtin grup, që “godet” gjatë natës njësi të ndryshme tregtare. Rreth një javë më parë, DurrësLajm njoftoi vjedhjen e 3 kioskave gjatë natës, pronarët e të cilave deklaronin dëme të konsiderueshme financiare.

Në datë 2 prill, policia e Durrësit njoftoi goditjen e një grupi hajdutësh adoleshentë, të cilët akuzoheshin për të paktën 4 vjedhje të ndodhura në muajin mars në qytet.

Goditja e këtij grupi nuk frenoi vjedhjet në qytetin bregdetar, ç’ka lë të kuptosh se, duke përfituar nga izolimi i qytetarëve, grupe të ndryshme hajdutësh janë duke realizuar një sërë “aksionesh” nëpër bizneset e Durrësit. Në shumë raste, hajdutët janë kapur nga kamerat e sigurisë së bizneseve, gjë që mund të lehtësojë punën e grupit hetimor për të zbuluar personat që fshihen pas këtyre vjedhjeve dhe tentativa vjedhjesh në seri.

Mbetet detyrë primare e forcave të rendit, që krahas monitorimit sesi i respektojnë qytetarët masat shtrënguese të marra për shkak të pandemisë Covid-19, të intensifikojmë punën hetimore për identifikimin dhe kapjen e këtyre elementëve keqbërës.

Të shqetësuar për rënien apo zerimin e xhiros prej koronavirusit, vjedhjet e pandalshme të hajdutëve janë një shqetësim i shtuar për bizneset e vogla në qytetin bregdetar.  

M.B.