Drejtori i Autoritetit Portual Durrës shprehet se për shkak të një ngërci ligjor APD po rrënohet ekonomikisht nga kompanitë që kanë marrë me koncesion asete në portin e Durrësit.

Artjan Qirici deklaroi se kontratat koncesionare nuk janë dhënë ashtu si e parashikon ligji për koncesionet. Pra kontratat që ka bërë Ministria e Transporteve në vitin 2013 janë të formës opero-transfero dhe kjo nuk i detyron kompanitë të investojnë në infrastrukturë dhe në këto kushte mund të kemi të njëjtën infrastrukturë edhe pas 30 vitesh.

Sipas tij, të tria kontratat në portin e Durrësit u dhanë në formën opero-transfero, ndërkohë që në të gjithë portet e botës kontratat koncesionare mbi 30 vite hartohen në formën: ndërto, opero dhe transfero.

Kontratat që kompanitë kanë lidhur me Ministrinë e Transporteve janë tërësisht në favor të kompanive, të cilat realizojnë 80 përqind fitim, ndërsa APD-ja vetëm 20 përqind.

Vetëm terminali i trageteve ka fitim 50 me 50 përqind. Në këto kushte, Autoriteti Portual përveçse ka humbje drastike ekonomike ka edhe me pak autoritet në portin më të madh të vendit.

K.H.