Ditën e djeshme u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare kreu i Shoqatës “Durrësi”, Shpëtim Metani, ndërkohë që sot në hollin e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, janë mbajtur homazhet në nderim të figurës së tij.

Metani i ka dhënë një kontribut të paçmuar qytetit bregdetar në promovimin e vlerave dhe krijimin e festave simbol siç ishin, “Mikpritja Durrsake”, “Festa e Ullirit”, “Festa e Detit” etj.

Shpëtim Metani ishte kryetari i “Shoqatës Durrësi”, një shoqatë me shumë autoritet, me shumë veprimtari, duke akorduar tituj dhe vlerësime për njerëz të kategorive të ndryshme, por veçanërisht në fushën e biznesit.

“Shoqata Durrësi” u krijua meë 10 shkurt 1991 dhe arriti të zgjerohet, duke pasur 7736 anëtarë, ndërmjet tyre 1117 intelektualë. Me punën dhe veprimtarinë e saj, ajo depërtoi në çdo hallkë dhe qelizë të jetës ekonomike, të biznesit, të artit dhe kulturës, në atë sociale dhe shoqërore, si dhe jashtë vendit, duke nderuar figura qendrore.