Universiteti “Aleksandër Moisiu” e çeli vitin 2020 me takimin fillestar të projektit Erasmus + “Përshpejtimi i Modernizimit të Universitetit në Ballkanin Perëndimor përmes Teknologjisë Virtuale” (Accelerating Western Balkans University Modernization by Incorporating Virtual Technologies – VTech).   

Njëmbedhjetë institucione akademike nga Europa dhe Ballkani Perëndimor kanë bashkuar forcat për të ndërmarrë këtë projekt tre-vjeçar me qëllimin përfundimtar modernizimin e universiteteve dhe ndërtimin e shoqërisë digjitale përmes Teknologjive Virtuale.

“Augmented Realities/ Virtual Realities” janë një model shumë i mirë për t’u ndjekur nga institucionet e Arsimit të Lartë pasi ndër të tjera ndihmojnë për të krijuar përvoja më të pasura dhe më tërheqëse të të nxënit për studentët, si dhe lehtësojnë ekspozimin e gjetjeve të kërkimit shkencor.

Përgatitja për një infrastrukturë të tillë evropiane në kulturën universitare, do të rritë cilësinë dhe nivelin e efikasitetit në mësimdhënie, si dhe do të kontribuojë në ruajtjen e njohurive përmes metodave ndëraktive të mësimit, duke kontribuar kështu në zhvillimin e shoqërisë të drejtuar nga dija.

Projekti VTech do t’i shërbejë komunitetit akademik, por në të njëjtën kohë, ai do të ketë impakt në bzines dhe industri, pasi ofron mjetet për qasje inovative në shumë fusha prioritare për shoqëritë e Ballkanit Perëndimor. 

Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, Rektore e Universitetit “Aleksandër Moisiu” shprehet se “për të garantuar rritjen dhe zhvillimin konceptual të studentëve lipset të hulumtohen mënyra të reja të mësimdhënies. Mënyra më e mirë për ta realizuar këtë është përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në mësimdhënie, siç janë platformat audio-vizive dhe interaktive. Jemi krenarë dhe të lumtur që jemi lider të projektit VTech”. Ndërsa për koordinatoren e projektit, Dr. Albana Ndreu Halili, “përfshirja e Teknologjive Virtuale në kulturën akademike përshpejton modernizimin e universiteteve ballkanase dhe përmirëson cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor që ata zhvillojnë”.

Më shumë informacion do të jetë i disponueshëm së shpejti në:  www.vtech-project.eu

Konsorciumi i VTECH

  • Universiteti “Aleksandër Moisiu” (lider i projektit)
  • Universiteti i Lubjanës, Slloveni
  • Universiteti i Tartusë, Estoni
  • Universiteti i Teknologjisë në Lodz, Poloni
  • Universiteti Europian i Tiranës, Shqipëri
  • Universiteti Polis, Shqipëri
  • Universiteti Epoka, Shqipëri
  • Universiteti i Prishtinës, Kosovë
  • Universiteti për Biznes dhe Teknologji, Kosovë
  • Universiteti i Europës Juglindore, Maqedoni e Veriut
  • Universiteti “Nënë Tereza”, Maqedoni e Veriut

Rrjetet sociale të VTech

Twitter: https://twitter.com/VTechProject
Facebook: https://facebook.com/VTechProject
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCwPI07SAeCyM0-wkMVCs61g