Prefektura e Durrësit bën të ditur se një ditë më parë është mbajtur në institucionin e prefektit mbledhja e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, gjatë të cilës është analizuar sezoni turistik 2019, arritjet dhe problematikat e konstatuara. Në mbledhje ka marrë pjesë përveç drejtuesve më të lartë të pushtetit vendor në Durrës edhe zv. ministria e brendshme, Rovena Voda.

Por ndërsa në njoftimin e saj, prefektura nuk harron të përmendë pjesën më të madhe të të pranishmëve në mbledhje, ajo që bie në sy është fakti se nuk jepet asnjë statistikë për sezonin turistik, ndërkohë që nënvizohet se ishte "një sezon turistik i suksesshëm me tregues të kënaqshëm".

Në një kohë kur në takime të tilla mediet nuk njoftohen më prej kohësh për t'i ndjekur ato nga afër, institucionet nuk japin as informacionin minimal të mundshëm për të justifikuar faktin se pse sezoni ka qenë i suksesshëm. Nuk bëhet asnjë krahasim me statistikat e një viti më parë për të bërë një ballafaqim të shifrave nga sezoni në sezon, nuk renditen as problematikat që janë hasur nga operatorët turistikë, megjithëse në njoftim nënvizohet se "në përfundim të takimit u diskutuan problematikat si dhe u lanë detyra konkrete për t’u realizuar në sezonin e ardhshëm turistik 2020 duke vendosur theksin në përmirësimin dhe zgjidhjen e problemeve të evidentuara gjatë sezonit turistik 2019".

Turizmi është ndër sektorët më fitimprurës për ekonominë e Durrësit, por analizat e sezonit që sapo lamë pas bëhen të ditura vetëm në një sallë të mbyllur, brenda një grupi të vogël drejtuesish qendrorë e vendorë. Medieve nuk i jepet mundësia për t'u njohur me këto analiza dhe statistika, për të mos folur pastaj për qytetarët. Gjithçka kufizohet vetëm në disa njoftime "të thata" në rrjete sociale, ku autoritetet servirin vetëm atë që u intereson.

Njoftimi i Prefekturës Durrës:

Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Durrës, Roland Nasto, u realizua mbledhja e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit në kuadër të analizimit të situatës së përfundimit të sezonit turistik 2019.

Në këtë takim ishin të pranishëm zv Ministria e Brendshme Rovena Voda, kryetarja e Bashkisë Durrës, Valbona Sako, nën Kryetarët e bashkive Shijak dhe Krujë, drejtues të degëve territoriale që veprojnë në qark anëtarë të këtij komiteti, operatorë turistik etj.

Në këtë takim u bë analiza e sezonit turistik veror 2019, u paraqitën rezultatet konkrete në fushën e turizmit të arritura, u analizuan arritjet dhe problematikat nga të gjithë institucionet, degët territoriale që ofrojnë shërbime në drejtim të turizmit.
Prefekti në fjalën e tij theksoi se ky viti ishte një përvojë e suksesshme e bashkëpunimit mes strukturave të administratës shtetërore dhe vendore , falë të cilëve u sigurua një sezon turistik i suksesshëm me tregues të kënaqshëm.

Institucioni i Prefektit ka vijuar përgjatë gjithë sezonit turistik që lamë pas të koordinojnë punën mes të gjith strukturave qoftë atyre të pushtetit qendror apo vendor në mënyrë që reagimi dhe veprimi të ishte një i tërë. Një element mjaft i rëndësishëm për sezonin turistik ka qënë dhe ngritja e Task Forcës Vendore nga institucioni i Prefektit “Për monitorimin dhe kontrollin e masave mbi zbatimin e detyrimeve ligjore për sigurinë në plazhe gjatë sezonit turistik 2019” kjo në zbatim të plotë të urdhrit të Kryeministrit, nr.65, datë 01.04.2019.

Sezoni turistik veror ka qenë i suksesshmi në bazë të statistikave dhe shifrave zyrtare, treguesve të tjerë që bëjnë vlerësimin në këtë fushë. Këto shifra janë inkurajuese dhe rikonfirmormojne turizmin si nxitësi kryesor i rritjes së ekonomisë, si një sektor me ndikim të madh social dhe ekonomik, i cili ka ndryshuar pozitivisht strukturën ekonomike në qarkun e Durrësit duke ndikuar në krijimin e një tregu pune tërheqës, të qëndrueshëm dhe konkurues me të ardhura të konsiderueshme duke kontribuar keshtu në zhvillimin social dhe ekonomik jo vetëm në qark por dhe në vend.

Në përfundim të takimit u diskutuan problematikat si dhe u lanë detyra konkrete për t’u realizuar në sezonin e ardhshëm turistik 2020 duke vendosur theksin në përmirësimin dhe zgjidhjen e problemeve të evidentuara gjatë sezonit turistik 2019.

Gjithashtu në këtë takim u prezantuan drejtorët e rinj në detyrë, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Vendore të Policisë Kryekomisar Lorenc Shehu, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës Z.Pirro Vengu, Drejtori i AKU Durrës Z.Manush Kullolli dhe Drejtori i Shërbimeve të Transportit Rrugor Z. Kreshnik Ternova.