Miratohet lista e tretë me 1588 emra të rinj që do të përfitojnë subvencionimin e qirasë në Durrës.

Në mbledhjen e pasdites së sotme të Këshillit Bashkiak, këshilltarët kanë kaluar me unanimitet pikën e pestë të rendit të ditës, që kishte të bënte me listën e re të personave shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe që pritet të përfitojnë bonusin e qirasë.

Në mbledhjet urgjente të mbajtura në muajin dhjetor të vitit të kaluar, këshilltarët patën miratuar dy listat e para me 3863 familje, që përfitonin bonusin. Nga këto familje, vetëm rreth 2900 e kanë përfituar këstin e parë, ndërsa vetëm 1000 prej tyre kanë marrë edhe këstin e dytë të subvencionimit të qirasë.

Në të njëjtën kohë, këshilltarët e pranishëm në mbledhjen e sotme kanë miratuar edhe 4 pikat e tjera të rendit të ditës.

  • Miratimi i familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6% dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë për muajin shkurt 2020.
  • Disa shtesa dhe ndryshime në VKB-në nr.3, datë 29.01.2020 “Për një shtesë në VKB-në nr.648, datë 23.12.2019 “Për miratimin e listës emërore të nxënësve të arsimit parauniversitar dhe konvikteve të shkollave të mesme profesionale “Beqir Çela”, “Hysen Çela” dhe “Benardina Qeraxhi”, që plotësojnë kriteret ligjore për përfitimin e bursave dhe pagesave për vitin shkollor 2019-2020.
  • Miratimi i linjave qytetase të transportit publik për territorin e Bashkisë Durrës, itinerarin, stacionet, oraret dhe frekuencat e tyre.
  • Për një ndryshim në VKB nr.617, datë 02.08.2019 “Për zgjedhjen e anëtarëve që do të përfaqësojnë këshillin bashkiak në këshillin e qarkut dhe pajisjen me mandatin e përfaqësimit”.