Pas procedimit penal ndaj 2 pronareve të 2 farmacive në Durrës për shkak se shisnin desifektantë për duart (xhela antibakterial), pa faturë tatimore me çmime abuzive dhe pa lëshuar kupon tatimorr, një tjetër farmaci është ndëshkuar në qytetin bregdetar.

Këtë herë penaliteti i Task Force ndaj saj ka qenë me masë administrative në vlerë 50 mijë lekë.

Sipas përfaqëësuesve të Task Force, denoncimi ndaj farmacisë ishte bërë nga një qytetar dhe nga kontrolli i ushtruar rezultoi se pronari i saj lëshonte kuponë pa specifikim artikulli.

DurrësLajm ka siguruar momentin kur Task Forcë gjobit farmacinë.

Më herët, gjatë ditës, policia e Durrësit njoftoi se ka nisur procedimi penal për shtetaset  S. L., 32 vjeçe, banuese në Durrës dhe E. D., 40 vjeçe, banuese në Shijak, Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë në lagjen Nr. 13, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi dezifektantësh për duart (xhela antibakterial), pa faturë tatimore, të cilët shiteshin me çmime abuzive, si dhe në farmacinë në lagjen nr. 4, u konstatuan shitje pa kupon tatimor.

Gjatë këtyre ditëve, të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë denoncuar çmimet abuzive me të cilat farmacitë shesin maskat, dorezat, dezinfektantash për duart. Duke përfituar nga frika e qytetarëve ndaj koronavirusit, farmacitë rritën disa herë çmimin e këtyre produkteve gjatë ditëve të fundit.