Muzeu Arkeologjik në Durrës ka regjistruar numër rekord vizitorësh deri në këtë periudhë të vitit. Nga janari deri në fund të muajit korrik, Muzeu Arkeologjik është vizituar nga 9242 vizitorë në total, ku 5000 prej tyre janë shtetas të huaj. Dy monumentet më të vizituar janë Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri me 20 900 vizitorë në total. Arkeologia Eda Cekrezi shprehet se në krahasim me vitin 2017, numri i vizitorëve ka shënuar një rritje prej 59 përqind, shifër kjo e konsiderueshme.

Të shumtë jane turistët që kanë interes të njihen me historinë dhe të shkuarën shqiptare. Muzeu Arkeologjik është i hapur nga ora 9-19, çdo ditë të javës, ndërkohë që ciceronët janë në gatishmëri të vizitorëve të huaj në gjuhët anglisht dhe italisht.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Durrës ka vetëm dy monumente të vizitueshme me pagesë, Muzeun Arkeologjik kundrejt çmimit 300 lekë dhe Amfiteatrin me çmimin 200 lekë. Në lidhje me vizitorët e huaj, dominojnë turistët polakë dhe më pas ata çekë, italianë dhe anglezë. Në Muzeun Arkeologjik gjenden të ekspozuara afro 3000 objekte me vlera të rralla që i përkasin katër periudhave të ndryshme, periudhës parahistorike, asaj arkaike, klasike ose helenistike dhe periudhës romake.

K.H.