Porti i peshkimit në Durrës është kthyer në një varrezë gjigande mbetjesh urbane të përziera me ujëra të zeza që shkarkohen në det. I lënë në harresë prej autoritetevem pavarësisht se aty qëndron gjysma e flotës së anijeve të peshkimit, kjo hapësirë tokësore dhe detare në zemër të Portit të Durrësit, në kufi me terminalin e trageteve, është kthyer në një “tualet” të madh publik.

Por ndryshe nga tualetet që kanë roje dhe përgjegjës, për këtë hapësirë nuk ka kush të mbajë përgjegjësi. Pak ditë më parë persona të paidentifikuar kanë hyrë brenda këtij territori duke grabitur fuçitë metalike dhe mbetjet më pas i kanë hedhur në tokë e në ujë.

Pamjet janë gati apokaliptike, sepse në këtë territor shkarkohen ujëra të ndotur dhe në det kanë përfunduar shumë materiale interte dhe mbetje të përdorura nga anijet e peshkimit. Para se të hysh në bankinë sipërfaqja tokësore është pushtuar nga uji i ndotur duke shkaktuar përmbytje të rrugës që të çon në bankinat ku qëndrojnë anijet. Shiu i rrëmbyeshëm, hidrokarburet dhe vajrat e djegura i çoi në det, duke shkaktuar kështu ndotje të lartë mjedisore.

Për këtë ngjarje Agron Tare, drejtor i APD-së tha se “këtu kanë qenë magazinat e peshkatarëve. APD ka filluar të prishë ato dhe në vijim do të pastrojë të gjithë ambientin.  Nga informacioni që kemi këtu pa pasur fuçi me karburant ose vaj të lënë nga peshkatarët dhe natën ndoshta persona të ndryshëm kanë ardhur t’i marrin për skrap“.

Pas zhvendosjes së anijeve në portin e ri, kalata dhe territori brenda portit po i nënshtrohen pastrimit.

K.H.