Sot u zhvillua dita e dytë e Festivalit Europian të Turizmit të Peshkimit në portin e ri të peshkimit në Durrës.

Në këtë aktivitet mori pjesëmarrje drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Ledion Lako, përfaqësues të portit të peshkimit, Olsi Simsia si dhe përfaqësues të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Durrës, menaxheri i saj Syrjan Tola.

Gjatë këtij aktiviteti u bë prezantimi i të gjithë procesit të peshkimit, nga dalja në det, hedhja e rrjetave e deri te grumbullimi dhe magazinimi.

“Peshku ruhet në frigoriferë ngrirës, për të ruajtur cilësinë e tij. Pas këtij procesi, vijnë autoritetet e AKU-së apo inspektorët e ministrisë, që kanë për detyrë të kontrollojnë cilësinë e peshkut edhe llojin e peshkut sepse herë pas here ka abuzime të peshkatarëve, që kohët e fundit jemi përpjekur t’i minimizojmë. Pastaj peshku certifikohet nga AKU, që na shërben për sigurinë e tregtimit të peshkut tek të gjitha restorantet, magazinat e peshkut, tek tregtarët e vegjël, tek tregtarët e mëdhenj.”, u shpreh Simsia.

Krahas prezantimit, u realizua dalja në det e Peshkarexhës “Dita”, ku u pa më nga afër i gjithë procesi.