Në Durrës, numri i lindjeve në maternitet ka mbetur konstant gjatë tre viteve të fundit. Ndërkohë që numri i lindjeve në Shqipëri vazhdon të bjerë në mënyrë të pandalshme.

Në maternitetin e spitalit rajonal të Durrësit përgjatë 8 muajve të parë  të këtij viti janë regjistruar 1550 lindje, statistika këto të bëra me dije nga vet shefi i  pavionit Obstetrik–Gjinekologjik Durrës, Arjan Prodani.

Stafi i maternitetit pret jo vetem paciente nga Durrësi, por edhe nga rrethinat e Kavajës e Rrogozhinës. Pikërisht lindjet nga këto zona rurale kanë bërë që lindjet të jenë konstante në këtë maternitet, pasi pakësimi i lindjeve nuk është më një rast i izoluar por një tendencë disavjeçare, e shndërruar në shqetësim madhor për të ardhmen e Shqipërisë.

Shefi i shërbimit të obstetrisë në maternitetin e Durrësit tregon se 10 përqind të numrit të lindjeve, e zënë edhe pacientet nga rrethina të ndryshme, ku si pasojë e mungesës së mjekëve obstetër gratë shtatzëna zgjedhin të lindin në maternitetin e Durrësit.

E shoqëruar edhe me emigracionin masiv tek të rinjtë, rënia e lindjeve po sjell plakjen dhe rrudhjen e shpejtë të popullsisë shqiptare, një fenomen që ka pasoja jo të vogla për të ardhmen e ekonomisë dhe financave të shtetit.

K.H.