Drejtoresha e Kufirit dhe Migracionit në portin e Durrësit, Lindita Nushi ka kërkuar gjatë analizës vjetore të punës së Prefekturës, rehabilitimin e sheshit përballë skanerit.

Pasi renditi arritjet, përgjatë vitit 2018, të institucionit që ajo drejton, Nushi e vuri theksin në problematikën e theksuar që ka vija e dytë e kontrollit kufitar. Ajo kërkoi nga drejtori i Autoritetit Portual realizimin e investimit në këtë shesh, që ka nevojë emergjente për përmirësimin e infrastrukturës, shtimin e sipërfaqes në dispozicion, vendosjen e një tende etj.

“Problem i pazgjidhur mbetet vija e dytë e kontrollit kufitar që nuk është vetëm problem teknik, por prek edhe biznesin, cilësinë e shërbimit që do t’i ofrojmë qytetarëve, sigurinë portuale. Art duhet ndërtuar një tendë, që ende nuk është bërë. Ajo është gjëja që ka çaluar këtë sezon, pasi qytetarët nuk kanë një shesh ku mund të marrin shërbim”, – tha Nushi.

Sheshi në fjalë, i cili është nën administrimin e Autoritetit Portual ka nevojë për ndërhyrje dhe rehabilitimin e tij. Lëvizja kaotike e kamionëve, hapësirat e pamjaftueshme për parkimin e mjeteve dhe largësia e konsiderueshme që ekziston mes skanerit dhe vijës së dytë të kontrollit kufitar krijon problematika të theksuara si për drejtuesit e mjeteve, ashtu dhe për punën e efektivëve të Policisë Kufitare.

Në analizën e punës së Prefekturës, fjalën e mori edhe drejtori i Zyrës së Punës, Indrit Buka, i cili renditi si problematikë të institucionit të tij, faktin se një pjesë e mirë e personave që i nënshtrohen trajnimit profesional në Qendrën e Formimit Profesional, pasi marrin diplomën largohen jashtë shtetit ose punojnë privatisht.