Mbyllet ekspedita katër javore e arkeologjisë në forumin mesjetar. Ekspedita e sivjetshme u zhvillua në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjise dhe pedagogë e studentë të Universitetit të Lionit në Forumin Bizantin, të njohur si Rotonda, që i përket sipas specialistëve të arkeologjisë shekujve të V-të dhe të VI-të pas Krishtit, Gjatë katër javëve kalendarike u zhvilluan sondazhe nga një ekip i përbashkët arkeologësh shqiptaro – francezë, që kryen studime mbi topografinë e Durrësit në lashtësi.

“Studimi është bërë në forumin mesjetar dhe termat romake për të kuptuar transformimet e qytetit në periudha të ndryshme kohore të tij,– tha arkeologia Brikena Shkodra.

Nga ekspedita e kryer janë kapur disa faza të rëndësishme të qytetit, që nga periudha ilire dhe romake. Ajo që u vu re është përdorimi i strukturave dhe rimodelimi i ambienteve. Por njëkohësosht edhe transformimi i hapësirave e rimodelimi i hapësirave nga rezidenca në një transformim total në periudhën e perandorit Anastas në një qëndër të rëndësishme urbane”. 

Në këtë vend nga gërmimet arkeologjike të një viti më parë kanë dalë në dritë objekte që i përkasin një civilizimi më të vjetër se ai bizantin. Sipas specialistëve, janë konstatuar dhe zbuluar fragmente muresh që i përkasin shtresëzimit të periudhës romane.

Këto mure, sikurse edhe shikohet, janë thuajse në një nivel me objektin e termave romane të zbuluara poshtë ndertesës së Teatrit “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Po me datë 6 qershor të vitit të kaluar, këtu kanë dalë në dritë edhe objekte si një vazo varri funeral, e cila u thye gjatë gërmimit. Ndërkohë kanë dalë në dritë mure të plota banese dhe kanalizimet e stilit roman. Arkeologët janë shprehur se poshtë ketij civilizimi bizantin e roman, mund të gjenden edhe gjurmë të kulturës helenistike si dhe asaj ilire. Ekipi francez ka disa vite që kryen germime në qytetin historik të Durrësit. Në gërmimet e kryera në oborrin e Mauzoleumit te Dëshmoreve ata kanë zbuluar se zona është e pasur në objekte arkeologjike që i përkasin qytetërimeve iliro-greko romane. Aty janë gjetur terma te periudhës romane,mozaikë si dhe fragmente qeramike të pikturuar.     

K.H.