Policia e Durrësit bën të ditur se në të gjithë qarkun e Durrësit, sapo ka përfunduar marrja në ruajtje e qendrave të votimit nga ana e uniformave blu pa asnjë problem.

Më herët gjatë ditës, policia e Durrësit njoftoi marrjen e masave për mbarëvajtjen dhe garantimin e procesit zgjedhor të 25 qershorit.

Krahas masave, policia e Durrësit u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe komunitetit që për çdo qëndrim a sjellje jokorrekte dhe jo ligjore të kryera nga punonjësit e policisë, qytetarë të ndryshëm a përfaqësues të subjekteve politike që bien ndesh me Kodin Zgjedhor dhe ligjin t’i denoncojnë ato menjëherë në numrin 0800 0 129, duke ju garantuar trajtimin dhe marrjen e masave të rrepta të menjëhershme ndaj punonjësve të policisë përgjegjës, apo ndaj cilitdo që do shkelë ligjin.

Qarku i Durrësit është dalluar gjithnjë për mbajtjen e një procesi zgjedhor të qetë dhe të ndershëm dhe shpresojmë që edhe dita e nesërme të jetë e tillë.