Policia Bashkiake e Durrësit ka ndërhyrë paraditen e sotme në mbështetje të IMTV-së për shëmbjen e një ndërtimii pa leje në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Sipas Policisë Bashkiake Durrës, e cila publikon edhe foto nga aksioni në terren, ndërtimi pa leje bëhej pengesë për realizimin e shëtitores buzë detit pranë plazhit të Shkëmbit të Kavajës.

Përgjatë gjithë vijës bregdetare të Shkëmbit të Kavajës është planifikuar të ndërtohet shëtitorja bregdetare, por jo vetëm. Projekti për këtë vijë bregdetare synon transformimin e zonës nga Përroi i Agait deri në Golem, rehabilitimin e rrugëve të brendshme dhe rikualifikimin e hapësirave publike të plazhit të kësaj zone, në ambiente shumëfunksionale turistike.

Projekti që do të zbatohet dhe që kap shifrën rreth 1.5 milion euro ka në fokus katër stinët e vitit, me qëllim që zona të jetë funksionale gjatë gjithë vitit. Shëtitorja përgjatë plazhit është konceptuar të shtrohet me larmishmëri dekorimi, për të dhënë imazhin e një udhëtimi nëpër katër stinët e vitit.

Ndërkohë zona që ka një frekuentim të madh nga turistët gjatë stinës së verës, por edhe nga banorët e shumtë, aktualisht ka një rrjet rrugor, ku në pjesën më të madhe janë të pashtruara me asfalt dhe mungojnë trotuaret, do të rehabilitohet plotësisht.

Gjithashtu është parashikuar krijimi i hapësirave të rekreacionit dhe transformimi i hapësirave publike të përshtatshme për t’u përdorur nga banorët apo turistët.

Krahas asfaltimit dhe plotësimit me sinjalistikë rrugore dhe ndriçim, projekti do të fokusohet edhe në shtimin e hapësirave të gjelbra, parqeve dhe këndeve të lojërave.

Projekti parashikon punime edhe në rrjetin e tubacioneve dhe kanalizimeve.