Prefekti i Qarkut Durrës, Roland Nasto, së bashku me kreun e Policisë Bashkiake Vasip Çopa kanë inspektuar në terren zbatimin e planit të masave për sezonin turistik.

4 ditë nga mbledhja në prefekturë, ku u ngrit Task-Forca që do të monitorojë planin e masave për sezonin turistik, dy zyrtarët panë nga afër situatën përgjatë vijës bregdetare të Durrësit.

Në këto ditë të nxehta qershori, vija bregdetare e Durrësit është duke u populluar nga pushues të shumtë, vendas dhe të huaj. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, mbarëvajtjen e sezonit, ofrimin e shërbimeve të nevojshme për pushuesit etj, Task-Forca do të kryejë inspektime në zonat bregdetare në bizneset, plazhet private e subjektet që operojnë në sektorin e turizmit.

Task Forca vendore ka në përbërje të saj përfaqësues të Degëve Territoriale dhe struktura të Bashkisë Durrës të cilët kanë detyrime ligjore të drejtpërdrejta në drejtim të ofrimit të shërbimeve publike për mbarëvajtjen e sezonit turistik.