Tre javë pas masave drastike të marra nga qeveria, më të varfërit e qytetit të Durrësit, ata që mbahen nga ndihma ekonomike, kërkojnë ndihma ushqimore.

Prej orëve të para të mëngjesit, në rajonin numër 4 në Durrës, një numër i madh banorësh janë dyndur për të kërkuar ndihma ushqimore, pasi jo vetëm që nuk kanë rezerva, po as mundësi për t’u drejtuar në dyqane.

Ata thonë se janë shumë frymë në shtëpi dhe aktualisht të papunë, prandaj nuk kanë asnjë mundësi me çfarë të ushqehen. Banorët e kësaj njësie administrative thonë se pasi kaluan tërmetin e 26 nëntorit dhe mbetën të pastrehë,  tani kanë marrë goditjen e dytë atë të mungesës së ushqimeve , të bukës dhe të gjithë produkteve më elementare.

“Erdhëm shkruajtëm emrin. Pasi na goditi tërmeti e shkruajtëm, tani erdhëm përsëri për të marrë ndihma ushqimore. Po na dha Edi Rama na dha, po nuk na dha, na la pa ngrënë”,– thotë një banore.

Kryetarja e rajonit nr. 4 Davide Ndoj del dhe takon secilin prej qytetarëve që paraqiten pranë zyrave të rajonit.

“Ndihma do të marrin ata që kanë më shumë probleme , të gjithë po i mbajmë shënim, do t’ju çojmë pako ushqimore. Do të ketë ndihma për nevojtarët, për ata që marrin ndihmë ekonomike dhe për pensionistët”,– thotë Ndoji.

K.H.