Në raste festash gjithnjë presupozohet se njerëzit tregohen më të dashur e më të afërt me njëri-tjetrin, sidomos me familjarët.

Por, megjithëse jemi në 2 ditët e para të vitit 2018, rastet e dhunës në familje të regjistruara në 48 orët e fundit në qarkun e Durrësit janë më shumë se 10.

4 nga rastet që ka përzgjedhur DurrësLajm janë më flagrante sesa të tjerat.

Arrestimi i parë për këtë vit në qarkun e Durrësit është bërë nga policia e Krujës, që ditën e martë ka vënë në pranga në flagrancë një 55-vjeçar të divorcuar.

Shtetasi N.S., pavarësisht se e kishte zgjidhur martesën, ka vazhduar të dhunojë ish-bashkëshorten dhe vajzën, përkatësisht shtetaset D.P. 45 vjeçe, dhe E.S. 21 vjeçe.

Ndërkohë, në Durrës, për një 39-vjeçar ka nisur procedimi penal, pasi përveç akuzës së bashkëshortes së tij për dhunë fizike ndaj saj, atij i është gjetur në shtëpi edhe një dozë kokaine.

“U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shtetasin E.S, vjeç 39, banues në Durrës, pasi në banesë, ka ushtuar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes R.S, vjeç 35, si dhe gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe bllokua 1 doze lëndë narkotike e llojit kokainë”, njofton policia e Durrësit.

Dy raste të tjera dhune flagrante në familje janë regjistruar në Durrës dhe Krujë, ku policia ka plotësuar kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.

Kështu mësohet se “shtetasja A. H. 33 vjeçe, banuese në Durrës ka denoncuar vjehrrën Gj.B. 58 vjeçe dhe kunatin Y.B. 42 vjeç pasi kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj”.

Ndërsa në Krujë, një ish-bashkëshort ka rrahur ish-gruan dhe dy vajzat.

“Më datë 01.01.2018 u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetaset D. P. 45 vjeçe , E.S. 21 vjeçe, dhe A.S. 17 vjeçe, pasi ish- bashkëshorti dhe babai, N.S. 55 vjeç ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006.”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”,- njofton zyrtarisht policia.