Punonjësit e kompanisë “Aleat” pranë rajonit nr.5 në Durrës janë tronditur ditën e sotme nga shembja e tavanit të zyrës së tyre.

Të përfshirë nga paniku kanë qenë edhe qytetarë që ndodheshin aty në ato momente për të rinovuar dokumentet e identitetit.

Siç shihet qartë nga fotot dhe pamjet filmike të mbërritura në redaksinë e “DurrësLajm” një pjesë e tavanit të varur është shembur përdhe, ndërsa zyra është braktisur nga personat që ndodheshin brenda saj.

Prej shembjes së tavanit janë dëmtuar edhe disa nga pajisjet që përdoren nga punonjësit e kësaj zyre për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave.

“DurrësLajm” mëson se zyra që ndodhet në lagjen nr.17 kishte pësuar dëmtime që nga tërmeti i 26 nëntorit por askush nuk ka ndërhyrë për riparimin e saj.

Situata u përkeqësua edhe më shumë në momentin e shembjes së pallatit 13 katësh të kompanisë “Kastrati”. Tavani u var edhe më shumë, por sërish askush nuk ndërhyri për riparimin e tij. Megjithëse kryetari i komunës ishte vënë në dijeni të situatës si nga punonjësit e kompanisë private ashtu edhe nga drejtuesit e saj, asnjë masë nuk është marrë për riparimin e dëmit.

Fatmirësisht nga shembja e tavanit gjatë ditës së sotme kishte vetëm dëme materiale, por jo të lënduar.