Shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, Adhurim Qehajaj, u pezullua nga detyra për shkak se akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me lejen e ndërtimit të një hoteli në zonën e Urës së Dajlanit në Durrës.

Prokuroria e Durrësit ka konstatuar disa shkelje ligjore në lidhje me lejen e dhënë për ndërtimin e këtij hoteli në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi, nga Shijaku, që ndodhet në një zonë të përcaktuar të Rëndësisë Kombëtare.

Referuar këtyre shkeljeve (që i gjeni të plota më në njoftimin më poshtë) është kërkuar dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin nr. 91, datë 12.03.2018 është vendosur:

– Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues, Pezullim i ushtrimit të detyrës së Drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, për shtetasin Adhurim Qehajaj; caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive në lidhje me objektin dhe truallin duke urdhëruar:

– Pezullimin e kryerjes së mëtejshme të punimeve të ndërtimit në objektin “Hotel 5-6 kate dhe 1 kat nëntokë” në pasurinë me nr. pasurie 8514-5/19, ZK 8514, në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi, me kufijtë (V/J/L/P) me sipërfaqe 1516.8 m2 dhe adresë lagje nr. 13, Plazh, Durrës.

– Pezullimi i kryerjes së transaksioneve në pasurinë me nr. 5/19 Z.K 8514, regjistruar në Vol 18, fq 66, me sipërfaqe 1516.8 m2 dhe S.nd = 163.5 m2 në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË DURRËS

KOMUNIKATË

Bazuar në referimin e ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, kjo prokurori ka regjistruar procedimin penal nr. 247, datë 13.02.2018, që bën fjalë veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”(ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.02.2007) parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Ky procedim ka filluar për shkak se:

Me vendimet nr. 101, datë 17.02.2017 dhe 463, datë 04.08.2017 të Bashkisë Durrës, është miratuar Leje Zhvillimi dhe Ndërtimi, për pasurinë nr. pasurie 8514-5/19, ZK 8514, në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi, me sipërfaqe 1516.8 m2 dhe adresë lagje nr. 13, Plazh, Durrës, për ndërtimin e objektit “Hotel, Shërbime Turistike dhe Zyra, dyqane me shumicë dhe pakicë, dyqane, zyra publike dhe private”. Objekti pozicionohet midis, rrugës Kombëtare tek “Ura e Dajlanit” dhe bregut të Detit.

Në lidhje me lejen e dhënë nga Bashkia Durrës është vendosur në kundërshtim me kriteret e ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, dhe VKM nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” i ndryshuar, për këto arsye:

Së pari: Në bazë të nenit 7.1 germa “c” 18.6 e 28.1 të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, neni 19.3 germa “a” të VKM nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e Rregullues së Zhvillimit të Territorit” i ndryshuar, zona ku është dhënë leja e zhvillimit dhe ndërtimit, është zonë e përcaktuar si zonë e Rëndësisë Kombëtare dhe është Këshilli Kombëtar i Territorit organ kompetent përgjegjës për të miratuar lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për zona të rëndësisë kombëtare.

Në nenin 45.1 germa “a” të VKM nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e Rregullues së Zhvillimit të Territorit” i ndryshuar, është parashikuar se “deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për territoret administrative të bashkive, kërkesat per leje zhvillimi/ndërtimi do merren në shqyrtim nga autoritetet përgjegjëse vetëm për zhvillime të propozuara në zona të territorit vendor, për të cilat janë miratuar dokumentet e planifikimit të territorit, sipas hartës bashkëlidhur, me përjashtim të zonave me rëndësi kombëtare të trashgimnisë kulturore dhe historike dhe brezit bregdetar, sipas vendimit nr. 1, datë 08.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit, në të cilat çdo ndërtim i ri do jetë objekt shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Në vendimin nr. 1, datë 08.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit, në pikën “1.1” të tij, pasuria me nr. 8514-5/19, ZK 8514, me sipërfaqe 1516.8 m2 në të cilën po ndërtohet objekti është brenda kufirit kufizues të përcaktuar si zonë me rëndësi kombëtare, në pjesën e Brezit Bregdetar (sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi). Në pikën “2” të këtij vendimi është parashikuar “Pezullimi i lejeve të reja zhvillimore të ndërtimit për objekte individuale (të veçanta) grup objekte individuale dhe pezullimin e planeve të detajuara vendore nga të gjithë autoritet e qeverisjes vendore të planifikimit në zonat e përcaktuara sipas pikës 1.1, të këtij vendimi, deri në hartimin e planit të integruar sektorial për brezin bregdetar”

Në lidhje me Brezin Bregdetar, Këshilli Kombëtar i Territorit me vendimit nr. 02, datë 14.06.2016 “Për Miratimin e planit të Integruar Ndërsektorial për Brezin Bregdetar” në pikën “2” germa “b” dhe “c” ka parashikuar si pjesë përbërëse të Planit të Integruar Ndërsektorial, hartën për Brezin Bregdetar. Në hartën e miratuar bashkëlidhur këtij vendimi është parashikuar se vija e ndërtimit është 200 m nga bregu i detit.

Së dyti: Zona ku është dhënë leja e zhvillimit dhe e ndërtimit është zonë e mbrojtur dhe nga ligji nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”. Në nenin 66 të këtij ligji është parashikuar se “Organet përgjegjëse të planifikimit të territorit në organet e qeverisjes vendore lëshojnë leje për ndërtimin, rindërtimin apo shembjen e objekteve mbrojtëse të brigjeve, mureve, pritave e veprave të tjera në brigje, vetëm pasi pajisen me autorizimin të posaçëm nga organet e administrimit dhe të menaxhimit të burimeve ujore” në rastin konkret Këshilli Kombëtar i Ujit. Në rastin konkret, nuk rezulton të jetë dhënë autorizimi i këtij Institucioni.

Së treti: Procedura e legalizimit të truallit në të është dhënë leja ndërtimi, është kryer në kundërshtim me nenin 2.4/2 të ligjit nr. Nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” (i ndryshuar me ligjin Nr.9895, datë 09.06.200) në të cilin është parashikuar se ”Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet informale brenda një distance prej 100 metrash nga akset rrugore kombëtare” Trualli i legalizuar është ngjitur me “Urën e Dajlanit” e cila është aks rrugor kombëtar.

Për shkeljet e mësipërme, shtetasi Adhurim Qehajaj, me detyrë Drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, dyshohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”(ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.02.2007) parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Referuar faktit të mësipërm është kërkuar dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin nr. 91, datë 12.03.2018 është vendosur:

– Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues të parashikuar nga neni 240.1 germa “a” të Kodit të Procedurës Penale, Pezullim i ushtrimit të detyrës së Drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, për shtetasin Adhurim Qehajaj, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”(ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.02.2007) parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Po nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin nr. 91, datë 12.03.2018 është vendosur, caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive në lidhje me objektin dhe truallin duke urdhëruar:

– Pezullimin e kryerjes së mëtejshme të punimeve të ndërtimit në objektin “Hotel 5-6 kate dhe 1 kat nëntokë” në pasurinë me nr. pasurie 8514-5/19, ZK 8514, në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi, me kufijtë (V/J/L/P) me sipërfaqe 1516.8 m2 dhe adresë lagje nr. 13, Plazh, Durrës.

– Pezullimi i kryerjes së transaksioneve në pasurinë me nr. 5/19 Z.K 8514, regjistruar në Vol 18, fq 66, me sipërfaqe 1516.8 m2 dhe S.nd = 163.5 m2 në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi.

– Për zbatimin e këtij vendimi, urdhërohet IKMT Tiranë, IMT në Bashkinë Durrës, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe ZVRPP Durrës.