I gjithë sistemi arsimor po përgatitet për të pritur vitin e ri shkollor, po në disa zona të Durrësit komuniteti është i shqetësuar ndaj indiferencës se pushtetit vendor dhe ndërmarrjeve në varësi të tij për infrastrukturën përreth shkollave.

Kanalet e pa pastruara të ujërave të larta që prej vitesh janë kthyer në vend për hedhjen e mbeturinave dhe burim infeksionesh e përmbytjesh rrezikojnë dhe këtë herë mbarëvajtjen e procesit mësimor

“Jemi punonjës të pastrim-gjelbërimit. Na kanë sjellë te shkolla. Korrëm barin e shkollës dhe tani po pastrojmë këto kallamishtet buzë kanalit. Po kjo familjarja këtu nuk na len.”– thotë një punëtor i ndërmarrjes bashkiake të pastrim-gjelbërimit.

Dita e parë e shkollës po afron ndaj prindër e nxënës të shkollës “Demokracia”, në lagjen 15 të qytetit, janë tepër të shqetësuar nga kjo gjendje, që vazhdon prej vitesh e cenon sigurinë e fëmijëve, si dhe procesin mësimor pas çdo rrebeshi shiu. U duket absurde që dy punëtorët e bashkisë po merren me kallamishtet e jo me problemin kryesor, pastrimin e rrethimin e kanalit.

“Po nuk u pastrua kanali, çfarë do të bëhet këtu. Pastro kallama kot. Kam kaq vite këtu e nuk është pastruar asnjëherë. Është gjynah për fëmijët. Bien aty. Skandal”, shprehet një tjetër punëtor.

Kriza në Greqi e ka detyruar edhe këtë burrë të ri që ta kthejë familjen në vendin e tij e të vazhdojë punën i vetëm në shtetin fqinj, por gjendja përreth shkollës ku ka regjistruar të bijën e irriton.

“Kanali i ujërave të zeza është shumë gjë e keqe. Vetëm këtu ndodh kjo gjë, në Shqipëri.Kam qenë në shumë vende, por kështu… Këtu është skandaloze. Janë gjithë këta fëmijë në shkollë. Këtu derdhen të gjitha ujërat e Durrësit që derdhen më tej në Porto Romano. Ne jemi shqiptarë po na vjen keq kur e shohim vendin tonë kaq keq, kështu pa rrugë, pa kushte”, shprehet një qytetar.

Edhe për mësuesit gjendja është problematike dhe askush nuk ka vënë dorë, pavarësisht ankesave të vazhdueshme.

“Kallamat janë rritur shumë. Vjen dhe shumë erë e keqe. Problem do të jetë. Kur ka shira e gjithë rruga bllokohet. Prindërit ankohen. Kemi bërë dhe ankesa në bashki po nuk kemi marrë përgjigje. Shpresojmë”, ka thënë mësuesja.

TCH e ka raportuar dhe ndjekur vazhdimisht situatën që krijohet në disa shkolla dhe lagje të Durrësit gjatë stinës së reshjeve, duke përcjellë zërin qytetar dhe pasojat e përmbytjeve, por autoriteti vendor përgjegjës ka heshtur. Situata vazhdon të mbetet e njëjtë dhe këtë vjeshtë. /TCH