Ashtu si shumë qytetarë të Durrësit që ndeshen çdo ditë me pamjen e shëmtuar që ka lënë pas ndërprerja e punimeve në sheshin “Veliera”, me të njëjtën pamje trishtuese janë ndeshur edhe mijëra turistë që këtë vit mbërritën në Durrës.

Ata që zbresin nga kroçerat në portin e Durrësit e që vizitojnë me kureshtje qytetin tonë ndeshen si fillim sapo dalin nga porti me një shesh, i cili ka mbetur gërmadhë e me rrugë tërësisht të ngushtuara, në të cilat qarkullojnë me vështirësi edhe autoveturat.

Ashti si qytetarët, pasojat e një sheshi të mbetur përgjysëm prej 20 muajsh i vuan edhe biznesi në Durrës. Kreu i shoqatës së turizmit, Eduart Xhepa, në një intervistë për DurrësLajm, tha se turistët kanë ardhur jo një por dy herë në Durrës dhe pamja që kanë parë është po e njëjta.

Në çdo vend të botës punohet dhe kjo merr mirëkuptimin e të gjithë grupeve të interesit duke nisur nga qytetarët, turistët, biznesi e aktorë të tjerë, por, në rastin konkret, ndërprerja për një kohë kaq të gjatë e punimeve nuk është në interes të komunitetit dhe biznesit.

Sheshi “Veliera” në Durrës, investimi më i madh i bërë në vitet e fundit në një vepër publike, ka 20 muaj që ka mbetur pezull, pasi Shoqëria Civile kërkon anulimin total të projektit, ndërsa bashkia përfundimin e punimeve të nisura. Shkak i bllokimit të punimeve u bënë gjetjet arkeologjike që u vunë re në themelet e rrugës.

Çështja ka shkuar në gjykatë e tashmë pritet vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë. Bllokimi i këtij investimi bëri që Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë të mos i japë lejen bashkisë së Durrësit për të filluar punimet në sheshin “Drejtësia” në qendër të qytetit bregdetar duke bërë që qeveria të tërheqë edhe fondin prej 355 milionë lekë të akorduar për investimin në këtw projekt.

K.H.