Paraditen e sotme është zhvilluar online mbledhja e Këshillit Bashkiak të Durrësit.

Duke patur parasysh situatën aktuale të krijuar nga COVID-19, këshilli ka miratuar shtyrjen e afatit të pagesave të qerave për familjet që jetojnë në banesa sociale si dhe shtyrjen e pagesave të tarifave vendore për biznesin,  vendime që lehtësojnë këto kategori.

Ja vendimet që u miratuan: 

Shtyrja e detyrimit të qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020 për të gjithë qiramarrësit individë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesat sociale me palë qiradhënës Bashkia Durrës. Detyrimi i prapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi, në mënyrë proporcionale për periudhën e mbetur të vitit 2020.

Shtyra e afatit të pagesës së tarifave vendore nga data 20 prill 2020,  për në datën 30 qershor 2020 për të gjitha aktivitetet e mbyllura në zbatim të Urdhërit nr.193, datë 20.03.2020 të Ministrise së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për kufizimin apo mbylljen e lëvizjeve në Republikën e Shqipërisë”,  i ndryshuar.

Në zbatim të masave parandaluese të përhapjes së virusit COVID-19, mbledhja e Këshillit Bashkiak u zhvillua online me asistencë teknike të Koordinatores Rajonale të Projektit Bashki të Forta, Eneida Marku.