Goditet një tjetër rast trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike në Portin e Durrësit, sekuestrohen 4.6 kg përzierje lënde narkotike marijuane në gjendje të lëngët.

Në pranga ka përfunduar një 28-vjeçar nga Lezha, i cili po tentonte ta trafikonte sasinë e lëndës narkotike me një mjet furgon.

Arrestimi i shtetasit Pashk Kola vjeç 28, banues në Lezhë, u bë mbrëmjen e djeshme, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative.

“Më datë 23.07.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, në mjetin furgon tip “Fiat”, me targa AA 246 PU, me drejtues shtetasin Pashk Kola, pas një analize të hollësishme risku dhe verifikimeve të tjera nga Specialistët e vijës së dytë të Kontrollit dhe skanimit që iu bë mjetit, në pjesën e përparme të tij, te dera e shoferit u gjet lëndë narkotike.

Veprimet e mëtejshme hetimore u kryen nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, ku gjatë peshimit rezultoi:

• 4.6 kg përzierje me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Marijuanë, në gjendje të lëngët”, njofton policia.

Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Krimeve të Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.