Një grup “terrorist” ka marrë peng anijen luftarake shqiptare “Lissus” në gjirin e Durrësit. Por, për rreth gjysmë ore, nëpërmjet veprimeve të shpejta, të shkathëta dhe korrekte të grupit të bordimit të Forcës Detare (FD), u arrit të izolohen “terroristët”.

Paraditen e 18 shtatorit 2019, pjesëtarë të grupit të bordimit zhvilluan një stërvitje. Tematika e stërvitjes ishte kapja dhe izolimi i një grupi terrorist që ka marrë peng anijen, ose bordim jokonsesual, siç quhet në gjuhën teknike, njofton komanda në Plepa.

Stërvitja u zhvillua në bordin e anijes “Lissus”. Veprimet u ndoqën nga specialistë të FD-së dhe ushtarakë italianë të grupit trajnues të anijes “San Marko”. Italianët vlerësuan pozitivisht veprimet e kryera në çdo fazë të operacionit.

Th.M.