Paraditen e sotme, një re tymi ngrihej nga grumbujt e mbetjeve inerte dhe urbane që po depozitohen çdo ditë e më shumë pranë shëtitores “Taulantia”, pas dy kullave shumëkatëshe.

Mbetjeve sot u ishte vënë zjarri, duke e përkeqësuar edhe më shumë ndotjen mjedisore në një nga zonat më të bukura dhe më të frekuentuara të Durrësit.

Rreth dy muaj më parë, DurrësLajm denoncoi hedhjen e vazhdueshme të mbetjeve inerte në këtë zonë, duke përfituar sipërfaqe toke në kurriz të detit. Njëkohësisht ndotej edhe më shumë uji i detit nga këto mbetje të krijuara kushedi se ku dhe që po depoziten çdo ditë në breg të detit.

Si për t’i vënë kapak ndotjes, sot mbetjeve u doli edhe tymi…

Ndërkohë, asnjë nga inspektoriatet bashkiake apo rajonale të mjedisit nuk kanë reaguar për këtë problem, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për ndalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm.

Pavarësisht se gjithçka ndodh ditën për diell, institucionet vijojnë të heshtin dhe të miratojnë skandalin mjedisor që po shkaktohet në zemër të qytetit bregdetar.

M.B.