Më herët, gjatë ditës, bashkia e Durrësit njoftoi se ditën e diel, më 20 shtator do të realizohet një shpërthim i kontrolluar tek një pallat shumëkatësh në lagjen nr.17, rruga “Dalip Peza”.

Por ndryshe nga pallatet e tjera të dëmtuara nga tërmeti për të cilat Instituti i Ndërtimit ka vendosur për demolimin dhe shembja është kryer me mjete të rënda apo eksploziv, të dielën, tek pallati i Kastratit (siç njihet nga të gjithë) do të prishen vetëm muret e brendshme.

Duket se kjo mënyrë shembjeje ka shkaktuar mjaft paqartësi, jo vetëm tek banorët e pallatit, por edhe tek opinioni publik në Durrës. Për këtë arsye, bashkia e qytetit bregdetar njofton se “ditën e nesërme (18 shtator) në orën 11.00, tek pallati në fjalë drejtori i Drejtorisë së zbatimit të vendimeve në IKMT Fatmir Meta dhe drejtori i IMT Durrës, Ardian Halili do të japin konferencë për shtyp duke treguar për mënyrën e shpërthimit të mureve të brendshme të këtij pallati, me qëllim sqarimin e opinionit publik për shpërthimin e kontrolluar që do të kryhet të dielën”.

Në njoftimin e paradites, bashkia tha se “për arsye sigurie njoftojmë të gjithë banorët e banesave dhe subjekteve që ndodhen pranë këtij pallati (në një rreze 200 m nga vendi i shpërthimit) që ditën e dielë, datë 20 shtator 2020, nga ora 11.00 deri në orën 17.00 të lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre për të shmangur valën goditëse, të ulin në dysheme televizorë e kompjuter dhe të largohen nga banesat dhe subjektet e tyre”.

Pallati i Kastratit është godina e parë shumëkatëshe në Durrës që do të shembet. Në muajt dhe javët e mëparshme janë shembur godina 5-6 katëshe, të cilat janë demoluar me ekskavator apo eksploziv.

Nisur nga lartësia e pallatit dhe afërsia e madhe e tij me godina të tjera, IKMT ka vendosur për një mënyrë tjetër shembje, që është hera e parë që aplikohet në Durrës.

Madje po tek ky pallat. më datë 5 shtator, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kreu një eksperiment me detonator dhe kapsolla elektrike, qe do te shkaktonte vetem zhurme.

Synimi i këtij eksperimenti ishte testimi i fortësisë së mureve të brendshme betonarme të këtij objekti.