Hapësira të tjera publike do t’u kthehen qytetarëve durrsakë që nga dita e nesërme. Aksioni i nisur javë më parë nga Policia Bashkiake e Durrësit nesër do të spostohet në një nga akset më të rëndësishme të qytetit bregdetar, atë që nis nga Mauzoleumi i Dëshmorëve dhe përfundon tek rrethrrotullimi tek stacioni i trenit.

Aksioni do të vazhdojë pa ndërprerje dhe të premten do të operohet në një tjetër aks me një përqendrim të madh biznesesh, në rrugën “Egnatia”, nga stacioni i trenit deri tek kisha ortodokse e Shën Astit dhe Shën Pavlit.

“Jemi të vendosur që do ta pastrojmë dhe normalizojmë gjithë qytetin. E kemi ndërprerë disa ditë aksionin për arsye të motit të paqëndrueshëm dhe me shi”,- thotë drejtori i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa për DurrësLajm.

Aksioni do të zhvillohet si gjithnjë në bashkëpunim me zyrën e taksave vendore, ndërmarrjen e pastrim gjelbërimit, INUV dhe me mbështetjen e policisë së shtetit.

“Me këtë rast Policia Bashkiake iu bën thirrje të gjithë subjekteve dhe bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetin e Durrësit, në Shëtitoren “Taulantia” dhe në zonën e plazhit që të mos bëjnë investime në mënyrë të paligjshme dhe pa leje duke zënë hapësira publike me metoda primitive dhe inisiativa individuale që bien ndesh me ligjin dhe rregulloren për zënien e hapësirave publike nga vazo betoni, kangjella hekuri apo pengesa të tjera”,– është apeli që Çopa u drejton bizneseve që operojnë në Durrës.

Zënia e hapësirave publike nga tavolinat, karriket, reklamat, mallrat e produktet e bizneseve të ndryshme apo shitësve ambulantë ishin kthyer prej vitesh në problem shqetësues për qytetarët.

Aksioni i ndërmarrë nga Policia Bashkiake është mirëpritur nga durrsakët, pasi ndryshe nga aksionet e mëparshme sporadike kur hapësirat liroheshin për t’u zënë sërish ditën tjetër, tashmë trotuaret dhe hapësirat e tjera publike kanë nisur të kthehen në destinacionin e tyre primar, në shërbim të qytetarëve.