Tërmeti i një dite me parë në zonën e Durrësit ka shkaktuar drama të vërteta njerëzore në disa familje, jetesa e të cilave edhe para tërmetit ishte e rënduar. Me lëkundjet e djeshme katër familje kanë mbetur në qiell të hapur. "DurrësLajm" ka qenë në banesën e një 80-vjeçareje e cila e zbardhi në qiell të hapur.

Bardha Tuçi, 80-vjeçe, është një prej banoreve të Manzës e cila e ka gdhirë jashtë mbrëmjen e kaluar. Banesa e saj e vjetër dhe e rrënuar nga lëkundjet e tërmetit është kthyer në të pabanueshme. E mbetur fillikat, pasuria e saj e vetme janë një kec e disa shpendë. E moshuara gjendej në banesë kur ndjeu lëkundjet e tërmetit.

Ajo mbërriti në Manëz nga zona e Burrelit 50 vjet me parë sepse bashkëshorti i saj ishte minator. Një vajzë që patën ka emigruar në Angli me familjen e saj. E moshuara mbijeton vetëm me një pension prej 10 mijë lekësh në muaj. Punonjësit e Emergjencave Civile i kërkuan që të braktisë shtëpinë e rrënuar por ajo nuk pranoi.

Katër familje u dëmtuan rëndë në njësinë administrative të Manzës nga lëkundjet e tërmetit. Altin Kurti me tre fëmijët e mitur, ka mbetur në qiell të hapur po ashtu.

"Shtabi i emergjencave në këtë zonë ka evidentuar dëmet," tha Fabian Kurti, shef I Emergjencës Manëz. Epiqendra e tërmetit ishte në Hamallaj 5 km larg nga kjo zonë në të cilën lëkundjet shkaktuan mjaft dëme.

K.H.