Argëtimi deri në orët e para të mëngjesit në lokalet buzë detit dhe diskot verore në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit u ka kushtuar lirinë 4 të rinjve.

Netët verore dhe argëtimi mes miqsh, ku nuk mungojnë rastet kur tejkalohet sasia e alkoolit të konsumuar, mund t'iu çojnë pas hekurave.

Postblloqet e policisë të vendosura në rrugët kryesore të qytetit bregdetar kanë ndaluar 4 të rinj, që drejtonin automjetin në gjendje të dehur.

Tre të rinj janë ndaluar nga efektivët e policisë rrugore në lagjen nr.1 të Durrësit, ndërsa një 23-vjeçar nga Tirana në lagjen nr.4.

Përveçse janë ndaluar në gjendje të pirë, e përbashkëta e 4 të rinjve të arrestuar në flagrancë është se, pas një nate të kaluar nën tingujt e muzikës dhe avujt e alkoolit, tani do t’u duhet të kalojnë ca kohë pas hekurave.

Njoftimi i policisë

  • Më datë 19.08.2017, ora 09:30, u arrestua në flagrancë shtetasi A.L. 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi në orën 02:15 në lagjen Nr.4 Durrës, është kapur nga shërbimet e policisë duke drejtuar mjetin Volvo fuoristradë nën ndikimin e alkoolit, në masën 0.52mg/litër.Neni 291 Kodit Penal. 
  • Më datë 19.08.2017, ora 13:00, u arrestua në flagrancë shtetasi K.S. 24 vjeç, banues në Durrës, pasi në orën 04:15 në lagjen Nr.1 Durrës është kapur nga shërbimet e policisë duke drejtuar mjetin tip Benz nën ndikimin e alkoolit në masën 0.72mg/litër.Neni 291 K.P.
  • Më datë 19.08.2017, ora 13:30, u arrestua në flagrancë shtetasi A.S. 36 vjeç,  pasi në orën 05:00, në lagjen Nr.1 Durrës është kapur nga shërbimet e policisë duke drejtuar mjetin tip BMV nën ndikimin e alkoolit në masën 0.69mg/litër.Neni 291 K.P.
  • Më datë 19.08.2017, ora 14:00, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A. 26 vjeç, pasi në orën 04:00,në lagjen  Nr.1 Durrës, është kapur nga shërbimet ë policisë duke drejtuar mjetin tip BMV nën ndikimin e alkoolit në masën 0.80 mg/litër.Neni 291 K.P.