Ashtu siç u njoftua një ditë më parë, paraditen e sotme IKMT dhe IMTV në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Durrës kanë nisur shembjen e dy pallateve në lagjen nr.18.

Objektet 5 katësh, të cilët ishin dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, janë prishur me mjete të rënda, në zbatim të ekspertizave të thelluara të hartuara nga Instituti i Ndërtimit në Tiranë.

Kryeinspektori i IMTV-së vendore, Ardian Halili tha së në këtë lagje janë gjithsej 3 objekte për t’u shembur, nga 8 që janë vendosur nga Këshilli Bashkiak Durrës.

“Në këtë lagje kemi 3 objekte për të shembur, në vijimësi do vazhdojmë edhe me pjesën tjetër, 5 objektet e tjera për t’i shembur në mënyrën manuale me eskavator.”

Halili tha aksioni i shembjes do të vijojë në Kullë dhe Sukth ndërsa bëri me dije se deri më tani, në Manzë janë shembur 9 pallate, të klasifikuara me rrezikshmëri për jetën për shkak të dëmeve të pësuara nga lëkundja sizmike.

Kujtojmë që godinat e shembura sot,  janë pallate, të cilat me vendim të Këshillit Bashkiak Durrës do të rindërtohen po në truallin ekzistues.

-Objekt ekzistues pallat 5 katësh, Rajoni 4, zona kadastrale 8511, rruga “A.Goga” lagjia 18, nr.120.

-Objekt ekzistues pallat 5 katësh, Rajoni 4, zona kadastrale 8511, rruga “A.Goga” lagjia 18, nr.130.