Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, bashkia e Durrësit vendosi në fillim të muajit prill që në tregun e fruta-perimeve të punohej jo me kapacitet të plotë për të respektuar distancimin fizik, ndërkohë që lejoi funksionimin e dy tregjeve provizore; njëri pranë stadiumit dhe tjetri tek sheshi para Mauzoleumit të Dëshmorëve.

Që nga fillimi i prillit e deri tani kur muaji maj po përfundon në këto dy tregje të improvizuara nuk ofrohet asnjë kusht higjieno-sanitar për tregtarët që ushtrojnë aktivitetin aty. Produktet tregtohen mbi disa arka, që në fund të ditës tregtarët i lënë përtej kangjellave të Mauzoleumit, për t’i përdorur sërish të nesërmen.

Fotot që po publikon Durrëslajm dëshmojnë pamjen e shëmtuar që ofron kjo zonë, në përfundim të ditës. Pirgje me arka druri apo plastike, si dhe kartonë të hedhura kuturu, në pritje që ditën tjetër të shërbejnë si banakë të improvizuar për shitjen e frutave dhe perimeve. Më shumë sesa si vend për tregtimin e fruta-perimeve, ai ngjan me një pikë të improvizuar depozitimi mbeturinash. Nuk mungojnë rastet, kur era e fortë sposton arkat apo kartonët duke i përhapur në mjedisin përreth dhe mes automjeteve të parkuara aty.

Ndërsa autoritetet shëndetësore propagandojnë aq shumë ruajtjen e higjienës maksimale si masë parandaluese për ruajtjen dhe mos prekjen nga Covid-19, arkat dhe kartonët ku tregtohen fruta-perimet hidhen vend e pa vend, në mes të pluhurit dhe të ekspozuar ndaj kushteve atmosferike.

Për tregtarët, në të dy tregjet e improvizuara, përveç kushteve higjieno-sanitare të munguara nuk janë vendosur as tenda për t’u mbrojtur disi nga reshjet e shiut apo rrezet e diellit.

Bashkia e Durrësit nuk ka bërë të ditur se deri kur do të funksionojnë dy tregjet e improvizuara, ndërsa prej mëse një muaji ka vendosur në hyrje të tregut kryesor një tunel dezinfektimi për tregtarët dhe qytetarët që e frekuentojnë atë.