Një anije peshkimi 20 metra e gjatë, me tonazh 60 ton, është mbytur në portin e Durrësit. Anija e peshkimit “Klodi” me pronar Adem Pojana u fundos në kalatën lindore vetëm pak minuta pasi ishte sjellë aty nga deti ku kishte pësuar defekt.

Burime zyrtare nga Kapiteneria e Portit të Durrësit bënë me dije se pronari i anijes kishte kërkuar ndihmën e rimorkiatorit për të ankoruar në breg peshkarexhën, pasi kishte pësuar defekt në det. Pasi peshkarexha u ankorua në kalatën lindore, aty ku ndodhet ish-kantieri i riparimit të anijeve, anija u fundos pasi kishte futur shumë ujë në ambientet e brendshme të saj.

Taulant Allka, kapiten i portit të Durrësit, tha se kapiteni i anijes po punon dhe ka kontraktuar vinçat për të nxjerrë anijen e për të bërë riparimin e saj.

Në portin më të madh të vendit problemi më i madh i të gjithë industrisë se peshkimit është mungesa e një kantieri detar për riparimin e anijeve të kësaj flote. Ish-kantieri ku ndërtoheshin dhe riparoheshin anijet u privatizua nga lompania Kurum, e cila në mënyrë arbitrare kantierin e shkatërroi duke e çuar për shkrirje në metalurgjikun e Elbasanit.

Në mungesë të kantierit për riparimin e anijeve, armatorët durrsakë janë të detyruar të riparojnë anijet në vendet fqinjë ku kostoja është disa herë më e lartë. Ata që nuk kanë mundësi të riparojnë anijet jashtë në Greqi apo Itali, i kanë braktisur mjetet që po amortizohen tërësisht.

K.H.