Vonesat në organizimin e tenderit nga bashkia e Durrësit për shpalljen e firmës fituese përgjegjëse për pastrimin e pishinës "Taq Dafa" ka bërë që javën e kaluar uji të humbte qartësinë dhe të dukej i ndotur.

Për shkak të situatës së krijuar, disa prindër të fëmijëve kontaktuan me "DurrësLajm", pasi ndiheshin të pasigurt për të dërguar fëmijët që stërviten në pishinë rregullisht gjatë muajve të verës.

Por, me shpalljen e firmës fituese, situata është përmirësuar nga fillimi i kësaj jave. Këtë fakt e konfirmon Kreshnik Leka, shefi i klubit shumësportësh "Teuta" që ka nën administrim pishinën.

"Fundin e javës së kaluar, preparatet munguan për 2-3 ditë, por nuk ka vend për alarm. Momentalisht gjendja e pishinës është optimale. Firma fituese e tenderit i solli me vonesë preparatet, por tashmë situata është nën kontroll. Stërvitja ka vazhduar normalisht dhe meqë i kemi magazinuar gjithë preparatet e nevojshme, ky problem nuk do të përsëritet", tha Leka.

Gjatë muajve të verës, në pishinën "Taq Dafa" stërviten rregullisht rreth 130 fëmijë, nga mosha 6 vjeç e sipër. Pishina verore e qytetit të Durrësit përfundoi rikonstruksionin 4 vite më parë. Vlera e projektit ishte 35 milionë lekë. 

M.B.