Në zonën e ish-Kënetës apo "Durrësin e Ri", është ngritur një zyrë e Policisë së Shtetit, për t’i ardhur në ndihmë banorëve të njësisë administrative nr.6 në Durrës.

Janë rreth 43 mijë individë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët jetojnë në këtë zonë, ku nuk kanë qenë të pakta konfliktet për arsye pronësie apo rastet e vjedhjeve, ndaj edhe hapja e një zyre policore në këtë komunitet ishte e nevojshme.

Sipas kryetarit të njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku, banorët tashmë mund të paraqesin ankesat dhe kërkesat që kanë pranë zyrës së efektivëve në komunë, prezenca e të cilëve pritet të minimizojë problemet e qytetarëve. Nga ana tjetër, këta të fundit kanë vlerësuar pozitivisht punën e bërë nga blutë e qytetit.