Bregdeti i Durrësit shquhet për larmishmëri çmimesh përsa i përket ofertës së pushimeve verore. Nëse një dhomë në banesat private në zonën e plazhit, varion deri në 10 euro nata, nga 30 deri në 50 Euro varion një banesë me të gjitha kushtet brenda saj, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, duke përfshirë ajrin e kondicionuar, kuzhinën e gatimit etj.

Edhe hotelet kanë çmime të ndryshme. Në hotelet luksoze çmimet shkojnë nga 40 deri në 80 Euro nata për paketat “gjithçka e përfshirë në çmim”. 

“Me çmimet që ofrojnë hotelet e Durrësit konkurrojnë Malin e Zi”, thotë kreu i shoqatës së Hoteleri- turizmit, Eduart Xhepa.

“Durrësi po konkurron denjësisht me Malin e Zi në çmime dhe në cilësi e shërbime turistike. Këtë vit paketat turistike janë ulur me uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 20 në 6% për fjetjen në hotel. Kjo i ka dhënë frymëmarrje industrisë së turizmit”, thotë Xhepa.

Nëse një çift turistësh zgjedh të pushojë në Durrës, paketa turistike shkon nga 40 deri në 80 euro nata. Në këtë çmim përfshihet mëngjesi, dreka e darka, fjetja, shezlongët dhe parkimi.

Por për operatorët turistikë problemi qëndron tek vizitat në sajtet historikë e arkeologjikë. Kjo sepse Durrësi ka pasuri të mëdha dhe interesi i turistëve në këtë drejtim është i madh, por këto sajte nuk janë në funksion të tyre dhe vizitat nuk mund të përfshihen në paketat turistike.  

K.H.